Avancojmë Kosovën së Bashku – Zgjidhjet Vendore (AKT – LS)

Programi Avancojmë Kosovën së Bashku – Zgjidhjet Vendore (AKT – LS) është një program i financuar nga USAID-i i cili implementohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF i cili ka për qëllim të forcojë komunikimin pozitiv dhe konstruktiv ndëretnik, duke u përqendruar në problemet, nevojat dhe zgjidhjet e përbashkëta. Aktivitetet e programit Avancojmë Kosovën së Bashku – Alternativa Lokale do të fokusohen në angazhimin e njerëzve që të mendojnë, flasin dhe punojnë së bashku me anëtarët e komuniteteve tjera. Duke përfshirë mundësi më të mira për integrimin e tregjeve minoritare me tregjet e shumicës, përmirësimin e zinxhirit të vlerave në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëria ekonomike e bizneseve si dhe rritja e përgjegjshmërisë së administratave lokale ndaj shërbimeve dhe nevojave të komuniteteve minoritare.

 

Programi do të përbëhet nga tri komponenta të cilat do të synojnë forcimin e shoqërisë civile lokale, kapacitetin e sektorit privat, si dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj komuniteteve.

  • Komponenta e Angazhimit Qytetar: Përmes ndërhyrjeve me grante strategjike në ndërtimin e infrastrukturës së komunitetit në shkallë të vogël, ekipi i Komponentes së Angazhimit Qytetar do të mbaj lidhje në mes të pushtetit qendror dhe lokal për të ndërtuar ura mes ministrive të linjës dhe qeverisë lokale në përmirësimin e cilësisë së qeverisjes dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Kjo komponentë do të synojë eliminimin e barrierave ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve publike të komuniteteve etnike shumicë dhe pakicë, si dhe anëtarëve individual të këtyre komuniteteve.

  • Komponenta e Zhvillimit të bizneseve: Nëpërmjet financimit të granteve në mbështetje të bizneseve fillestare dhe atyre ekzistuese me mundësi të mira të qëndrueshmërisë komerciale kjo komponentë do të promovojë vetëpunësimin dhe gjenerimin e të ardhurave veçanërisht në mesin e të rinjve dhe grave si grupe veçanërisht të margjinalizuara. Kjo komponentë gjithashtu do të fokusohet në ndërtimin e kapaciteteve për sipërmarrësit e rinj në biznes dhe planifikim financiar, marketing dhe shitje, si dhe trajnime specifike të sektorit.

  • Komponenta e Zhvillimit të Komunave: Përmes një pakete të ndihmës së drejtpërdrejtë teknike për komunat kjo komponentë do të synojnë të përmirësojnë cilësinë dhe diversitetin e shërbimeve publike për qytetarët, si dhe të mundësoj autoriteteve vendore t'i planifikojnë dhe zbatojnë më mirë politikat e zhvillimit lokal. Për këtë qëllim, shërbimet në mbështetje të sektorit privat, si dhe, ato që synojnë rritjen e formalizimit të tregtisë, do të mbështeten veçanërisht, pasi ato përfaqësojnë një burim të rëndësishëm të të ardhurave për pushtetin lokal.

Programi Avancojmë Kosovën së Bashku – Zgjidhjet Vendore parashihet të implementojë aktivitete në partneritet me 16 Komuna të Kosovës, duke përfshirë Komunat e veriut të Kosovës. Në kuadër të këtyre 16 Komunave përfshihen (6) Komuna me shumicë Serbe në jug: Graçanicë, Kllokot, Novobërdë, Partesh, Ranillug dhe Shtërpcë; dhe (6) Komuna me shumicë Shqiptare: Gjilan, Istog, Klinë, Obiliq/Obilić, Pejë dhe Vushtrri si dhe (4) Komuna në veri: Mitrovica e veriut, Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan.