Kosova është territor nën administrim të përkohshëm të administratës ndërkombëtare (Kombeve të Bashkuara - KB) sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Në krye të kësaj administrate është Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB;
Në nëntor 2001, janë mbajtur mbledhjet e para parlamentare dhe është zgjedur qeveria e parë e Kosovës, e cila u formua në mars të vitit 2002.
Kosova ka Asamblenë me 120 deputetë, ku 20 vende janë të rezervuara për përfaqësuesit e minoriteteve.
Kosova ka qeverinë e përpbërë nga dhjetë ministri dhe ajo udhëhiqet nga Kryeministri.
Kosova ka Kryetarin, i cili ka prerogativa të kufizuara.
Kosova përfshin një hapësirë prej 10,887 km katrorë. Ajo është një bazen gjeografik, e vendosur në lartësi prej afro 500 metrash, e rrethuar nga malet dhe e ndarë në dy nënrajone përafërsisht të së njëjtës madhësi dhe popullatë.
Kosova është e ndarë në 30 komuna dhe në rreth 1800 fshatra. Ajo është kryesisht rurale, ku rreth dy të tretat e popullsisë jetojnë në fshat, ndërsa rreth 30 për qind e popullatës jeton në nëntë qytetet e saj.
Nga lufta, që përfundoi më 1999, Kosova doli me mbi 700 fshatra të shkatërruara me mbi 100 mijë shtëpi të djegura dhe më 10-12 mijë të vdekur e të zhdukur.
Numri i banorëve të Kosovës para luftës është vlerësuar diku pak mbi 2.2 milionë, ku rreth 90 për qind të popullatës ishin shqiptarë. Në Kosovë përveç shumicës shqiptare jetojnë edhe komunitete të tjera, si serbët, boshnjakët (sllavët myslimanë), romët dhe turqit etj.
Popullsia e Kosovës karakterizohet me natalitet të lartë dhe me familje, madhësia mesatare e së cilës është prej 6 deri në 7 anëtarë.
Popullata e Kosovës është dukshëm më e reja në Evropë, më tepër se gjysma e popullatës ka më pak se 20 vjet.
Sipas Hulumtimit të Bankës Botërore mbi Varfërinë në Kosovë (2000), më se gjysma e popullatës kosovare është e varfër, kurse 12% e kësaj popullate është skajshmërisht e varfër.
Aktiviteti ekonomik ishte i përqendruar në industri, kryesisht në energji elektrike, xehetari dhe metalurgji, materiale ndërtimore dhe aktivitete bujqësore.
Papunësia aktuale vlerësohet të jetë 60 për qind, si pasojë e efekteve afatgjata të krizës ekonomike dhe politike nëpër të cilën kaluan Kosova dhe rajoni.
Ka një diasporë relativisht të madhe, që gjendet kryesisht në Evropën Perëndimore, e që luan një rol të rëndësishëm në mbijetesën e popullsisë lokale.