ukash satis Ftesë për aplikim për Grante

FTESË PËR APLIKIM PËR GRANTE IV

RI-SHPALLJE E FTESËS PËR APLIKIM

Për shkak të kërkesave të shumta për të shtyrë afatin e aplikimit për grante,
CDF ka vendosur shtyrjen e këtij afati deri me datën 24.07.2013 në ora 15:00.


FTESË PËR APLIKIM PËR GRANTE

Afati i fundit për aplikim është 12 korrik, 2013 në ora 15:00


CDF (Community Development Fund) është fondacion i pavarur që ka marrë grant nga Banka Botërore për projektin “Gjithë - Përfshirje Sociale dhe Zhvillimi Ekonomik Lokal”. Një ndër qëllimet kryesore të këtij projekti është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës përmes përkrahjes së ndërmarrjeve të vogla dhe mikro.

Me qëllim të përkrahjes së këtyre ndërmarrjeve të vogla dhe mikro, CDF fton të gjithë ata që kanë biznese ekzistuese dhe ata që kanë ide për hapjen e ndonjë biznesi të ri në Komunat: Prizren, Pejë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Skenderaj, Junik, Gllogoc dhe Mamushë që të aplikojnë  për grante në fushën e zhvillimit ekonomik. 

Bizneset nga komunat tjera nuk kanë të drejtë aplikimi dhe nuk do të pranohen.

Kriteret:

Për marrjen e grantit, përzgjedhja bëhet në mënyrë konkurente dhe ndërmarrësi/ja duhet të plotësojë këto kritere:

  • Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës;
  • Nëse është biznes i ri, të dëshmojë që ideja e biznesit ka potencial për zhvillim;
  • Nëse është biznes ekzistues, të jetë i regjistruar, të ketë të përfunduara obligimet tatimore dhe të ketë 2-20 të punësuar;
  • Të gjenerojë punësim me marrjen e grantit;
  • Të dëshmojë që biznesi është i qëndrueshëm, funksional dhe afat-gjatë;
  • Të kontribojë personalisht së paku 20% të kostos së projektit;
  • Të jetë i/e rregullt në ndjekjen e trajnimit që cakton CDF;
  • Të aplikojë për makineri, pajisje, mjete të punës apo trajnim të specializuar;
  • Pajisjet e kërkuara duhet të jenë për rritjen e biznesit që gjenerojnë punësim dhe jo për zëvendësim të pajisjeve ekzistuese apo zëvendësim i fuqisë punëtore;
  • Pajisjet duhet patjetër të jenë të reja, të papërdorura dhe me garancion minimum 12 muaj;

Shuma e Grantit të ofruar

 

Projekti “Gjithë - Përfshirje Sociale dhe Zhvillimi Ekonomik Lokal” mund të ofrojë më së shumti 10,000 € por shuma e grantit që aprovohet nga CDF do të varet nga nevoja për investim. Grantet shfrytëzohen për blerjen e pajisjeve dhe nuk jepen në formën e parave të gatshme.

 

Bashkëfinancimi i ndërmarrjes

Ndërmarrja/aplikuesi është i obliguar që të kontribuojë së paku 20% të kostos për blerjen e pajisjes nga kursimet, kreditë, apo burimet tjera financiare. CDF rezervon të drejtën e uljes së pjesëmarrjes së vet financiare varësisht nga mundësitë dhe rreziqet e vlerësuara nga komisioni.
P.sh: nëse një ndërmarrje kërkon të blejë një pajisje që kushton 8,000 Euro (çmimi me TVSH), atëherë aplikuesi është i obliguar që të kontribuojë së paku 1,600 Euro (20% e kostos) ndërsa mund të kërkojë nga projekti financim për shumën e mbetur 6,400 Euro.

Çfarë NUK financon projekti

Nuk do të financohen ndërmarrjet të cilat kanë karakteristikat e mëposhtme:

  •     Nëse kërkon grant për blerjen e tokës, traktorë dhe/apo pjesë përcjellëse, pajisje lëvizëse (mobile) që merren në teren, mjete transportuese, gjeneratorë, lëndë të parë, ndërtime të objekteve, bagëti apo shpezë, plehëra, fidane, farëra, shpenzime të marketingut, pajisje për nevoja të zyres (serverë, kompjuterë, printerë, fotokopje) apo të ngjashme të cilat CDF i konsideron të papranueshme;
  •     Nëse kërkon të blejë pajisje të vjetra dhe të përdorura;
  •     Paraqet vetitë diskriminuese apo ka ndikim negativ në shoqëri dhe komunitet;
  •     I shkakton dëme ambientit apo ndonjë grupi tjetër të margjinalizuar;
  •     Ka orientim apo përkrah qëllime politike dhe fetare;
  •     Nëse është organizatë joqeveritare, shoqatë apo institucion qeveritar. Ky projekt është i dedikuar vetëm për biznese fitimprurëse.

 

Si të aplikoni?


1)    Merrni aplikacionin nga uebfaqja e CDF-së në internet www.kcdf.org  
2)    Lexoni me kujdes këtë dokument me kriteret për marrjen e grantit – merret edhe në uebfaqe;
3)    Plotësoni formularët 1 dhe 2 (preferohet me kompjuter) dhe përgjigjuni në të gjitha pyetjet në formularë duke mos tejkaluar asnjë pyetje. Formularët e pakompletuar do të diskualifikohen;
4)   Dorëzoni aplikacionin në zyret e CDF-së deri me 12 korrik, 2013 në ora 15:00
Adresa e CDF-së:     Sejdi Kryeziu nr.16 (Qyteza Pejton), 10000 Prishtinë, Kosovë

 

Aplikacioni duhet të përmbajë këto dokumente:


a.    Formularin 1 - Informata mbi biznesin – merret në uebfaqe;
b.    Formularin 2 - Forma e propozimit - merret në uebfaqe;
Të dy formularët pasi të plotësohen dhe printohen duhet të nënshkruhen nga aplikuesi në faqen e fundit (bizneset ekzistuese edhe t’i vulosin). Aplikacionet e pa nënshkruara do të refuzohen. Aplikacioni duhet të jetë në emër të pronarit të biznesit dhe jo në emër të punëtorëve.
c.    Një kopje të letërnjoftimit të aplikuesit të lëshuar nga Republika e Kosovës;
d.    Nëse është biznes ekzistues, një kopje të certifikatës së regjistrimit të biznesit;
e.    Mund të bashkangjitni edhe ndonjë dokument tjetër apo informatë relevante (p.sh: plan të biznesit, fotografi, broshurë, etj)


Të gjitha dokumentet i futni në një zarf dhe mbi zarf shënoni informatat në vijim: emrin dhe mbiemrin e aplikuesit, emrin e plotë të biznesit, akronimin dhe adresën.


Aplikacionet që nuk përmbajnë dokumentet si në pikat a,b,c, dhe d dhe që nuk dorëzohen sipas formatit të kërkuar do të konsiderohen si të papërgjegjshme dhe do të diskualifikohen.

NUK pranohen telefonata gjatë fazës së aplikimit apo vizita në zyrë. Kërkesat për informata shtesë lidhur me kriteret dhe metodat e aplikimit mund t’i dërgoni vetëm në email adresën  This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.
Dokumentet e dorëzuara pas afatit nuk do të pranohen.

 

Përzgjedhja

Pas përfundimit të afatit për aplikim, do të bëhet përzgjedhja e bizneseve në bazë të kritereve të financimit të cekura më lartë. Bizneset të cilat i kanë të gjitha dokumentet e kërkuara, të cilët kanë ofruar më shumë informata për bizneset e tyre dhe kërkesa e të cilëve është brenda kritereve të financimit, do të kualifikohen për fazën e dytë të vlerësimit dhe do të vizitohen në teren. Vizitat për vlerësim të dytë bëhen pa paralajmërim. Në rast të mospërputhjes të informatave në aplikacion dhe atyre në teren, aplikuesi do të diskualifikohet.

Në rast të numrit të madh të kërkesave për grant, CDF do të ofrojë më shumë përparësi për:

  •     Agro bizneset dhe prodhimtaritë;
  •     Të rinjte, gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe minoritetet;
  •     Bizneset me potencial më të madh për zhvillim dhe qëndrueshmëri.


Përzgjedhja finale pas vizitës në terren do të bëhet në bazë të këtyre kritereve:

  •     Arsyeshmëria dhe qëndrueshmëria e ndërmarrjes në përgjithësi (dukë përfshirë menaxhimin, kontabilitetin, kualitetin, plasimin në treg, kompetencat e punëtorëve, etj);
  •     Aspekti teknik i aplikacionit (mundësia e realizimit, kreativiteti, arsyeshmëria); 
  •     Numri total i vendeve të reja të punës, afat gjatë dhe sezonal;
  •     Vendi i punës i ofruar për grupet e margjinalizuara; 
  •     Ndikimi social dhe në ambient;
  •     Analizat e duhura për shfrytëzim dhe qëndrueshmëri të investimit;
  •     Reputacioni i pronarit dhe ndërmarrjes;

Numri i granteve të dhëna varet nga kualiteti dhe numri i aplikacioneve që do të arrijnë. Procesi i vlerësimit dhe kontraktimit mund të zgjatë deri në gjashtë muaj.

Të drejtat ekskluzive të CDF-së

Aplikacionet të cilat nuk përzgjedhen do të mbeten pronë e projektit të CDF-së dhe nuk kthehen ndërsa idetë dhe informatat e biznesit do të mbeten konfidenciale brenda CDF-së. Bizneset apo individët që aplikojnë janë përgjegjës për shpenzimet e bëra lidhur me dorëzimin e aplikacionit. 
CDF po ashtu rezervon të drejtën të pranojë  dhe refuzojë cilindo aplikues/e apo të anulojë tërë procesin në çdo kohë por para se të lejohet lidhja e kontratës, duke mos marrë në këtë mënyrë kurfarë përgjegjësie apo ndonjë obligim ndaj aplikuesit.